Rezensionen - Besim Xhelili

Schriftsteller / Dichter / Novelist
Direkt zum Seiteninhalt

Hauptmenü:

Werke
Hier finden Sie einige Meinungen, Rezensionen und Kritikbewertungen über meine Werke (Leider nur in Albanisch. Sobald ich alle Texte übersetzt habe, werde ich diese dann hier einstellen).
Ich bedanke mich herzlich bei allen Freundinnen und Freunden, sowie bei meine Leserinnen und Lesern für Ihre Unterstützung, Beiseitestehen, Wertschätzung und Befolgung meiner Werke.


VËSHTRIME MBI ROMANIN "1803"

Botues: Botimet Fishta Prishtinë, Kosovë
Reçensentë: Prend Buzhala, Engjëll I. Berisha
Redaktore: Violeta Allmuça

ISBN: 978-9951-576-20-8
Prishtinë, mars 2016


Prend BUZHALA
KODI ROMANOR I MISTERIT TË DASHURISË

Të dy protagonistët e dashuruar (njihen e takohen rastësisht në një orë letrare), kanë familjet e tyre, kanë fëmijët dhe jetën e tyre bashkëshortore... dhe autori e ruan sensin e masës në këtë ndërthurje kaq të ndërliqshme e të ndjeshme raportesh e marrëdhëniesh: në dashuri nuk bën të ndjehet i lënduar askush, sipas atij parimit aristotelian, “E bukur është ajo që është harmonike”!
Marinela DURI

Fjalori i pasur, stili narrativ, përshkrimet romantiko-erotike të ngarkuara emocionalisht me figura letrare si: epifora, metafora, alegoria, krahasimi, epiteti, aforizmat, simbolizimi i shenjave të pikësimit (tre pikat, thonjëzat etj.) drama, suspens-i, anatropia – thyerja kronologjike e ngjarjeve, që ndryshe fillojnë, ndryshe rrjedhin e ndryshe përfundojnë, romanca, informacioni dhe sigurisht një fund i lumtur-HAPPY-END, këto kërkon lexuesi bashkëkohor.
Protagonistët e jetojnë dhe e përjetojnë jetën e tyre emocionale përafruese, si dhe dëshirat e tyre; për ta nuk ka kohë, as natë, as ditë, as të djeshme e as të ardhme, ka vetëm çaste të mbushura me bukurinë e emocionit (bisedat me telefon, emailet, letrat, poezitë, thëniet dashurore, video-bisedat, deri te takimet e rralla... largësia zhduket); ata e pranojnë këtë ndjesi që i jep kuptim jetës së tyre. E pranojnë në çdo kohë e në çdo minutë, në rrugëtim, në shtëpi, në ambiente pune a familjare...


Më konkretisht: drama shfaqet në roman që në fazën e parë kur protagonistët fillojnë e ndjejnë për njëri-tjetrin; që të dy kanë familje. Vetëkuptueshëm që vështirësitë e pengesat për përjetimin fshehtas të një ndjenje të tillë do t’i shoqërojnë gjithnjë e kudo, deri në fund kur protagonisti ka të sigurt vdekjen dhe në atë shtrat i duhet t’i rrëfehet së shoqes dhe protagonistja, së shoqit.


Thanas BOÇI

Autori Besim Xhelili për t’na bërë të njohur gjithçka, ka marrë si njësi të dimensionit estetik rrëfimin e tij, të kombinuar me dialogjet, andaj bën edhe personalizimin e narracionit të ngjarjeve, duke ia atribuuar kështu ato të personazhit kryesor, që është vetë autori dhe partneres së tij Samira, kështu që e bën të tillë, duke qenë vetë i kudondodhur, gjithçka bëhet më e besueshme, më bindëse, më e afërt, më emocionale.
Anton MARKU

Në aspektin tematik romani kryesisht trajton dashurinë dhe sfidat që ajo di dhe mundet të sjell. Që në fillim të librit autori dashurinë e quan ‘‘forcë hyjnore që dhuron gëzim dhe lumturi’’. Më pas në narracion përshkruhen edhe raportet mes individit, familjes dhe shoqërisë. Një vend të posaçëm zë edhe përditshmëria në vendin e punës, jeta në mërgim, etnia, kultura, arti, poezia, jeta urbane, etj.
Sigurisht midis realiteteve që paraqiten dhe qëndrimit filozofik të autorit, kur çdo gjë, çdo ditë, sjellje të personazheve e aktorëve, i nënshtrohen një filtri filozofik, se s’mund të ketë letërsi të bukur pa filozofinë brenda saj, veçse kështu mesazhet përcillen të qartë, ngacmues e që ndikojnë në botën e brendshme të lexuesve, sepse ky është edhe misioni qytetar dhe estetik i artit dhe i letërsisë. Shumë ngjarje, shumë aspekte që paraqiten në roman janë si rezultat i përsiatjeve dhe kujtimeve të autorit.


Ky roman të tërheq me mënyrën e të shkruarit, me subjektin, personazhet dhe emocionet që ai ofron. Pra, nëse pajtohemi se letërsia duhet të jetë e bukur dhe të ngjallë ndjenja gjatë leximit, kjo arrihet pothuajse plotësisht në këtë roman. Duket se autori i këtij libri, më shumë se sa kërkues i inspirimit, është pritës i durueshëm i tij. Por, sapo që frymëzimi ta pushtojë, ai zhytet i tëri në shkrim dhe përkthen ndjenjat në fjalë, fjalët në rreshta e rreshtat në kapituj letrarë duke ruajtur gjithmonë një nivel të lartë artistik në rrëfim.


Hasan QYQALLA
KOMPOZICIONI I RRËFIMIT PËRMES NGJYRIMEVE DRAMATIKE

Rrëfimet ngrihen zakonisht mbi një subjekt të përbashkët, që herë-herë subjekti përfshin brendapërbrenda ngjarje, episode, mjedise, personazhe, qoftë nga përjetimet e drejtpërdrejta të vet autorit, qoftë përmes gërshetimit të ngjarjeve mes reales dhe sureales, gjegjësisht ndërtimit mbi fantazinë e autorit. Shtrohet pyetja, çfarë janë dimensionet në paralelet e fushëveprimit të romanit "1803"? Gjithsesi, kujtoj, gjatë zhytjes në ngjarjet rrëfyese, lexuesi psikologjikisht do të kalojë si nëpër "rrathë purgatori!" Aty gjejmë shfaqje romantike, dashuri, lot, krim, intriga, tradhti, humanitet,...etj.; që do të thotë është një pentagram me ngjyrime dramaticiteti që mëtojnë nëpër valët e jetës.

VËSHTRIME MBI VËLLIMIN POETIK "BESA"

Botues: Botimet Fishta Prishtinë, Kosovë
Reçensent: Engjëll I. Berisha
Redaktore: Majlinda Nana Rama
Lektor: Salajdin Salihu

ISBN: 978-9951-576-18-5
Prishtinë, mars 2016

Prend BUZHALA:
ESTETIZMI I PËRVOJËS SË DASHURISË

Ndryshe nga shumë poetë që shkruajnë të dehur nga erosi, pena e Besimit është e tujgur me lirizmin e mëndafshtë, aspak të imponueshëm. Ai e estetizon përjetimin dhe dramën intime të dashurisë. Këndimi zhdrivillohet më shumë në frymë lirike-meditative. Aty ligjëron më shumë një Njeri i Përvojës së Dhimbjes së Dashurisë, që e kontrollon vargun poetik me racionalitetin e thënies poetike e jetësore.


Engjëll I. BERISHA
VOLUM POETIK ME TRAZIME DASHURIE
 
Se trungu vlerësohet sipas frutave, poezia e shumë krijuesve nëpër dyer të botës, është pemë  me fruta të dobishëm, përderisa në këtë relacion, poeti Xhelili, mbetet fuqi aktive, furor poeticus, me shprehje besimi duke i shtruar gjithnjë taban, siç thoshte Ciceroni, sinqeriteti i fjalëve dhe i marrëveshjes me fjalën e thënë.


Majlinda Nana RAMA
POEZI REFLEKSIVE DHE DISKRETE

Xhelili është kujdesur të shfletojë deri në thellësi, botën e brendshme të njeriut, si qenie jo thjesht ekzistenciale, por si qenie me një galeri të pafund ndjenjash, dëshirash, dashurish, provokimesh, joshjesh, humbjesh, pritjesh, distancash… Malli dhe vetmia janë dy gjendje që rrëmbejnë si shpendë grabitqare. Ato duket se janë bërë trendi i kohëve ku jetojmë, kohë të rraskapitura nga largësitë. Duket se ngushëllimin protagonist i poezisë e gjen tek ato shkronja të akullta distancash, që lotët i bëjnë edhe më të pakuptimta ndonjëherë.
 

Demir RESHITI
POEZI ME MESAZH EMOCIONAL PËR DASHURINË DHE JETËN

Të ecish në shtigjet e poezisë së Besimit është një aventurë interesante dhe e bukur në të cilën nuk të presin stuhi dhe përmbytje, por ëndrra jete të thurura me përkushtim me të cilat ai komunikon me lexuesit, duke ia zbuluar emocionet e tij, përvojën jetësore dhe urtësitë e jetës. Mesazhi emocional i poezisë së tij është i hapur për jetën dhe gjithçka që sjell ajo. Tematika dominuese e poezisë së tij është dashuria; dashuria ndaj njeriut, dashuria ndaj peizazhit, dashuria ndaj jetës dhe të gjitha dukurive të saj.

Ejup AJDINI
TINGËLLIMAT E POETIT NË LLAVËN E DASHURISË

Mbi të gjitha, autorit nuk i interesojnë shumë rregullat teorike, apo format dhe figurat që mund ta rritin teorikisht poezinë e tij, por ai në thelb ka të gjenerojë zërin e arsyes dhe dëlirësinë e tij shpirtërore, duke tërhequr paralelen e luftës midis të bukurës dhe të shëmtuarës, të ulëtës me të madhërishmes dhe ndalet e pushon mbi simpatiken, si kategori e veçantë estetike, aty ku i flenë ëndrrat për disa çaste qetësimi dhe mbi të gjitha ai në vazhdimësi gjeneron zërin e arsyes dhe të dëlirësisë shpirtërore.

Sikur keqësohen sytë e kësaj nate të trembur
Tek pi ajo kafen me ato buzë të kuqe, si mjalti,
Kjo bukuri mendjen ma ka shembur
Dhe psherëtimën me magji ma kapi.



VËSHTRIME MBI VËLLIMIN POETIK "DALLGË NË ZEMËR"

Botues: ATUNIS Prishtinë, Kosovë
Reçensent: Prend Buzhala
Redaktore: Bardha Mançe
Lektore: Majlinda Nana Rama

ISBN: 978-9951-624-56-5
Prishtinë, qershor 2016

Prend BUZHALA
POETIKA E VUAJTJES SË DASHURISË

Të njëqind e tetëdhjetë e tri njësitë strofike me temë dashurinë në lirikat e vëllimit "Dallgë në zemër", poeti Besim Xhelili i përkufizon me shenjën autoriale "183 lirika të dhimbshme dashurie". Si është e mundshme që pikërisht emocioni më sublim i qenies njerëzore ngërthyeka dhe vuajtjen, dhembjen? Kjo tematikë e shndërruar tashmë në obsesion krijues, te libri i Besimit, posi te tema e librit të dytë të Komedisë Hyjnore të Dantes, Purgatori, përpiqet ta japë këtë përgjigje, gjithnjë në universin e erosit, në hapësirat e këndimit lirik mbi dashurinë.


Bardha MANÇE
VARGJE PLOT TALLAZE DASHURIE
DHE DHIMBJEJE

Në vëllimin e gjashtë me poezi, poeti dhe shkrimtari i mirënjohur, Besim Xhelili, na vjen tanimë mjaft i pasur me përvoja dhe ndjenja të një shpirti tepër të trazuar, që të tensionon dhe të nxit të kërkosh në thellësi të tij, duke jetuar së bashku me të tallaze të forta të një dashurie që okupon çdo qelizë të protagonistit.

Jaho MARGJEKA
MOTIVI I VETËFLIJIMIT SI DHIMBJE
DASHURIE NË POEZINË E BESIM XHELILIT

Muza e Xhelilit herë është Evë e herë Beatrice, herë Helenë Troje e herë Zanë mali e Lugjeve të Verdha, herë e ëmbël e herë pelin, herë gjarpërushë e herë lozonjare. Ajo (Muza) është gëzimi e njëkohësisht dhimbja e zemrës së poetit, te cilën ai (poeti) ia ka blatuar plotësisht asaj, pa asnjë “kusht”, ashtu siç është e pakushtëzuar dashuria:

“E shoh se sonte prapë më qahet,
Zemër e kalbur në gjoks a mbahet?”


Sulejman MEHAZI

Përgjithësisht, dihet se vetëm poetët dinë të bëjnë përshkrimin e ndjenjave dashurore më së miri, për shkak se vetëm lirika e ka atë majën e më pjellores dhe më të frytshmen për të shprehur ndjenjat e dashurisë. E këto ndjenja i shpreh këndshëm e bukur dhe poeti tetovar Besim Xhelili, në përmbledhjen e tij poetike “Dallgë në zemër”, dallgë me 183 dhimbje të fuqishme dashurie.


VËSHTRIME MBI VËLLIMIN POETIK "SY TË PAFAJSHËM..."

Botues: ATUNIS Prishtinë, Kosovë
Reçensent: Prend Buzhala
Redaktor: Engjëll I. Berisha
Lektore: Majlinda Nana Rama

ISBN: 978-9951-624-57-2
Prishtinë, qershor 2016

Prend BUZHALA
THIRRMAT THELLËSORE TË DASHURISË

Te ky vëllim (që mban një titull të metaforikes engjëllore "Sy të pafajshëm... "), ai i drejtohet, si në librat tjerë, qenies që do, të dashurës. Dhe kjo thirrmë drejtuar ndjesive të tij, mendjes dhe zemrës së erosit, përplaset midis dy realiteteve, largësisë së kësaj qenieje dhe përgjërimeve të përmallshme, kujtesës, shpesh trajtën e klithmës, kurse poezia merr trajtën e një psikolirike të situatës emocionale, në të cilën gjendet protagonisti a folësi lirik që ligjëron në veten e parë. Është po ajo ndjesi që ligjëron tej fushë-hapësirave të arsyes, sikur ngjitet në lartësitë sublime të ekzistimit, një si kulm jete e gjallimi. Ai ligjëron me zemër të hapur, se asisoj dhuron dhe dhurohet, merr dhe jep:

"Nga unë ke çka të marrësh, më të fortën
Më natyroren, të fshehtën e të çiltrën".


Fadil CURRI
POEZI SIPAS GJURMËS “LARG SYVE, LARG ZEMRËS”

Poeti Besim Xhelili përgjatë përshkrimit krijon fabulë pamjesh e ndodhish, ndërlidhje botërash me jetë e pasjetë. Shpirtërorja me truporen gërshetohen ndërsjellë në saje të syve si urë ndërlidhëse, që netëve të ftohta ngrohin me ndezjen e tyre. Dashuria është e pranishme nga larg, edhe e pazë, por kurrë e pashpirt, kurrë e shuar, sepse është lulishte që, edhe kur nuk shikohet, përjetohet me syrin e nuhatjes, të shijimit e dëgjimit, bile është burg veçimi pa praninë e saj.

Engjëll I. BERISHA
POEZI ME SHPIRT DHE SA SHUMË DASHURI

Veprat e artit bëhen me figura të virtytshme për të edukuar dhe për të na mbushur shpirtin me dinjitet, sepse, ndryshe mbesim të zbrazët dhe na mund frika nga e shëmtuara që na rri tek dera, nëse ne ia japim mundësinë të na pushtojë. Për këtë, krijuesit, e më së shumti poetët, dhurojnë mendime për të na dhënë sa më të shpjegueshme misterin e dashurisë.


VËSHTRIME MBI VËLLIMIN POETIK "MES LULEVE DHE LOTIT"

Botues: URA Prishtinë, Kosovë
Reçensent: Fadil Curri
Lektor: Salajdin Salihu

ISBN: 978-9951-512-53-4
Prishtinë, qershor 2013



Fadil CURRI
POEZI ME IDE E BUKURI MALLI

Poeti Besim Xhelili në librin e tij më të ri “Mes luleve dhe lotit” na vjen me hapërim shumë më madhështor se në librat paraprakë, në të cilat frymëzimi përshkohej nga fabula deklarative e përjetimeve. Këtë herë autori përfutet në qëmtimin e temave më të guximshme, më të ndjeshme dhe më madhore e që kërkojnë delabirintizime historike, aktuale e perspektive.


Zejnepe Alili REXHEPI
 
PORTRETIZIME VLERASH POETIKE
“MES LULEVE DHE LOTIT”

Në këtë vëllim, brendatrupëzohen tri nivele ligjërimi: përshkrues, krahasues dhe gjykues. I pari, reflekton ngjyrimin emocional të përjetimit dhe vetë ngjarjes, përderisa niveli i dytë vë në spikamë dy kohë, që lënë gjurmë në kapërcimet e njëra-tjetrës, dikur dhe sot…, kjo dhe bëhet linja përshkruese e poetit përballë kohës. Niveli i tretë vjen inferior ndaj botës, mohimit…, gjykim ky emocionalisht autentik dhe i hartuar bukur!




@ 2017 Besim Xhelili
E-Mail:
Tel.: +43 (0) 660/ 486 6191
Zurück zum Seiteninhalt | Zurück zum Hauptmenü