Buzën pika t’verës po ta prekin N’ato çaste hareje dhe kënaqësie Timen ngrica akujsh seç e stepin Nga dihatje t’lodhshme dashurie…
SHPRUSHJE
Rrallë sytë e tu do mbushen Me lot t’bardhë e t’kulluar gëzimi Po të mitë shpesh po shprushen Me katran nga gjakderdhje pikëllimi…
SI KAHERA
N’ballkon po qave sonte si kahera Yjet po i pyete nëse jam gjallë e lotoj, Do t’thonë se gjithmonë e gjithhera Aty n’zemër t’kam e dot s’të lëshoj…
HERA E FUNDIT
Mbaj mend verën e fundit kur u pamë Pimë lëng boronice e s’u përqafuam Të dy zemrën tjetrit nga pak ia vramë Ike rrugicës kokulur, mua lotët m’pushtuan…
DY SY
Dy sytë e tu t’bukur, aq të përsosur O sa janë të thellë dhe frymëzues Por, një poet seç e kanë brengosur Me atë shikim t’egër e pushtues…
SONATË
O këta sytë e tu një sonatë e përkryer Brenda tyre një çerdhe e pavdekësisë, E sikur rrugën me zili më kanë rrëmbyer Disa valë të brishta brenda melodisë…
MELODI ME TINGUJ T’FIKUR
O melodi e qëndisur me tinguj t’fikur Vjeshta sapo mbaroi e më s’u pamë, Një lule n’mes vargjeve seç ka zbritur Po pret t’pathënat që kurrë s’i thamë…
SY T’THELLË
Dy sytë e tu t’thellë plot madhështi Ngatërrojnë në mua oqeanin e detin, E dridhin zemrën mbushur plogështi Prapa qafe dhimbjet që nisin e m’tretin…
ZEMËRNGRIRË
Kështu si ti s’ka më zemërngrirë Ngado ku kam ecur kam kërkuar, Për vdekje t’më shohësh shtrirë O sa do ishe në qejf dhe e gëzuar…
ME ETHE NË PARK
Plot ethe në zemër jam endur tek parku Pse të dua aq shumë, ndaj më zë haku, Qava bashkë me rosat e shpendët mbi ujë Në shpirt ca dridhje më prekën si rrëmujë…
NJË JETË TË TËRË
Po s’u paraqita moj mike një jetë të tërë Mua do gjesh forcën dikur të më falësh Për ty unë gjithçka e ç’mos kam bërë Nga zemra t’më lëshosh do t’ia dalësh…
ZEMËR E TREMBUR
Dhimbjen ma merr një kitarë nëpër tela copë-copë ditëve shpresa u shkëputet një zemër e trembur si varka pa vela e mpirë nga një mall që n’asht futet…
VARFËRIME SHPIRTI
Asgjë nga ethet e mbrëmshme Zhurmë e bubullimë pa arsye Rastisin ngjarje e të papritura
Hapa kopsën e këmishës Fytin kishte djegur etja
N’kopsht gjinkallave s’u pushonte goja Gumëzhinin natyrën me një zë trishtues Shpirtrat e largët shpifnin t’paqenat
Tejkalova rrugën për në anën tjetër Në mes të xhades një lule Kishte çarë asfaltin Lulëzonte e lirë, e buzëqeshur
Gjoksi i pushtuar nga ndjenja ndjellamirë Hapte rrugën këtij shpirti fuqipaktë
Mbresa plagësh mbërthyen zemrën Ikur ishin përjetimet si flluska të shuara
BUSULL E PRISHUR…
Ndoshta do të shëtitem deri në fundin e botës Po ti nuk do jesh aty që të shoh pafundësinë e syve të tu, Ëndrrat do më marrin me vete gjer në amshime t’largëta Po ti s’do m’falësh buzëqeshjet që do më mbrojnë N’zemër do më ngjiten zjarre t’fuqishme pasionesh Po ajo e jotja s’do afrohet të m’i shuajë shqetësimet Ja, o shpirt, dallgët e këtij lumi përçajnë në mes qytetin Dhe marrin me vete lotët e mi pa mbarim I derdhin në fundin e këtij Deti Veriu, Po ato dallgë puthjesh nga buza jote e ëmbël Kanë turbulluar shpirtin tim që lëkundet si busull e prishur Gjilpëra e tij e thyer s’iu tregon rrugën mëkatarëve si unë Ka ngelur aty ku ti dhe unë marrim kthesa të kundërta… Po bie nata e zbehtë, ky qytet nuk mbulohet nga terri Vetëm mua vetmia m’i skuq sytë e më pret fytin! Po sa dua të të dëshiroj një natë të mirë Dhe të jetë e fundit… për sonte… e pastaj nesër Mos të mendoj më për ty Mos të dëgjoj zërin tënd as në ëndrra As kur eci rrugëve ku më çojnë këmbët Dhs mos të shkruaj më kurrë asnjë varg Por, ja sa keq… gjithnjë po shkruaj, Dhe poezia për ty s’ka fund Siç s’ka fund kjo dashuri brenda meje…
URATË
Desha dorën të të shtrëngoja Në ata sy t’bukur të fundosem, Por, m’thuaj shpirt nga t’filloja T’vajtoj fatin a të mllefosem?!
Mendja m’iku e seç u zemërova Po dora jote sa e ngrirë ishte Oh, ato buzë pak i dëshirova Po tani mbi to veç akull kishte.
Rrëzuar më lanë duart e tua Me dogma e mite mbi shpinë Po unë gjithnjë do të të dua S’kam kujt t’ia fal dashurinë.
Mbushur lot sytë e tu dje ishin Por sot uroj të jesh e gëzuar Ikin vitet e gjërat sikur s’ishin Zemrat tona n’zjarr shkrumbuar.
Po eja këtë ditë të festojmë Me duart n’flakë kryqëzuar Stinën e marsit ta shijojmë Natës yjet duke ia shuar.
Gjërat e rralla një herë vijnë Kalojnë dhe veç plagë mbesin Mbi gjuhë jetën na shkrijnë Këngë të tilla që kurrë s’vdesin.
Po dje u ndjeva i gjallë, se jetoj Ti je një melodi që sjell gëzime Dhe ca lule zgjodha të t’i dhuroj Si një uratë për fat e lumturime.
ZEMRA E HEKURT
Zakonet e jetës kërkojnë hera-herës t’pamundshmen Oh, moj e bukur atje matanë shpresës e përbuzjes, E zymtë, e vyshkur nata si një lule pa aromë e gjallëri, Ti e di që i gjykuar jam të endem nëpër botë Rrugëve të shkreta gjersa t’këputen yjet prej qiellit Bashkë me to të ndalojnë dhe rrahjet n’zemrën time… Prej se sytë e tu prishën vijën e qetë brenda meje Kam ngelur nën mëshirën e ditëve pa asnjë ndjenjë njeriu Dhuroj pikat e fundit të lotëve i heshtur përballë durimit Gjakun s’ma duan as kafshët gjakpirëse e grabitqare… Ky shtrat si një arkivol më merr n’humnera skëterrash I jepem dhimbjes se vetëm atë kam shok të besës Dhe ajo është e kënaqur që më ha ngapak përditë…
Një zemër e hekurt flet vetëm një herë Dhe vdes përgjithmonë brenda vetmisë e robëruar, Një të tillë e bart me vete ditë e natë në gjoks Si një gur lashtësie, si dregëz vdekjeprurëse, Nga një njeri që i pari do jepte jetën për ty Më ktheve në të parin që ta do vdekjen, Por jo, o e falura e Perëndive, S’është aq katil ky shpirt i dobësuar Nga malli për atë buzëqeshjen tënde;
Të dëshiroj veç më më mirat dhe lumturitë e botës Merre me vete atë hijen tënde nga ëndrrat e mia Mos t’kem asnjë fije kujtimi ku do kapej buzëqeshja ime Le të shuhet jeta nga buzët e mia Asgjë mos harro tek unë që më sjell lumenj lotësh…
Kam arsye të ndjehem sot i gëzuar Ja, shumë njerëz përreth më flasin e shikojnë Plot libra duart e tyre, plot dhimbje mbi qafën time I kam dhënë me forcat e fundit një tis t’mekur krenarie Kësaj fytyre të lodhur e të nxirë nga pasioni për ty I vdekur mes të gjallëve, s’di ku ta gjej një pikë frymë…
Mbi këtë urë vështroj e dëgjoj këtë shushurimë të ujit N’urën tjetër përballë sikur të shoh, ti je aty e gjallë Më fton krahëhapur, e hareshme, po s’të dalloj dot Si duket kam ngatërresa, pasqyrime e përfytyrime Ti ke perënduar bashkë me ato rreze të dobëta dielli…